E premte, 16 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:10 Në vijim ora 14:10: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

“No Meloni Day” trazon Italinë, mijëra studentë në protesta, tensione dhe bomba artizanale në Romë

Mijëra studentë dhe pedagogë kanë dalë këtë të premte në rrugët e disa qyteteve të Italisë, në kuadër të protestës së njohur si “No Meloni Day”, kundër politikave të qeverisë për arsimin dhe reformave në shkolla. Tubimet vijnë pas disa ditësh të shoqëruara me protesta dhe pushtime të institucioneve arsimore, nga Milano në Napoli, Torino, Xhenova, Bolonja dhe Romë.

Tensionet më të forta janë regjistruar në kryeqytet, ku një grup protestuesish me fytyrat e mbuluara kanë nxjerrë kazanët e mbeturinave në rrugë për të bllokuar qarkullimin dhe kanë hedhur bomba artizanale e kapsolla. Sipas organizatorëve, rreth 20 mijë persona po merrnin pjesë në marshim, i cili iu drejtua Ministrisë së Arsimit në zonën e Trasteveres. Përpara godinës, protestuesit hodhën mjete piroteknike, ndërsa policia dhe karabinierët ishin rreshtuar me pajisje kundër trazirave.

Reklamë

Protesta është shtrirë edhe në Torino, ku mbi 2 mijë studentë kanë marshuar kundër politikave të qeverisë për arsimin dhe shpenzimeve për armatimet. Gjatë tubimit janë hedhur vezë në drejtim të policisë dhe është djegur një tank simbolik prej kartoni. Në Milano, Firence, Xhenova dhe Kagliari, mijëra të rinj kanë dalë gjithashtu në rrugë me pankarta dhe slogane kundër reformave arsimore, kostove të studimit dhe financimit të luftërave në vend të shkollave.

Në Mestre të Venecias, protestuesit hodhën tullumbace me bojë të kuqe në muret e jashtme të godinës së qytetit metropolitan, duke e cilësuar bojën si simbol të gjakut në Gaza. Ndërkohë, në Torino, disa të rinj me fytyrat e mbuluara janë identifikuar nga policia. Edhe në Pisa, një grup studentësh të Shkollës Normale pushtoi në mënyrë paqësore shkallët e institucionit, duke protestuar kundër shkurtimeve dhe mungesës së transparencës në kriteret e pranimit.

Reklamë

Organizatorët kërkojnë më shumë investime në arsim, uljen e kostove të studimit dhe përmirësimin e kushteve në shkolla, ndërsa kundërshtojnë rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe politikat e qeverisë Meloni. Përveç marshimeve studentore, në Romë janë planifikuar edhe aktivitete për klimën dhe përkujtimi i 83-vjetorit të deportimit të hebrenjve nga getoja e qytetit, ndaj autoritetet kanë vendosur masa të shtuara sigurie.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.