Subscribe

Në kohën që të dy vendet fqinjë Shqipëri- Serbi po përpiqen të thellojnë bashkëpunimin ekonomik mes tyre, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë ka hapur një çështje kundër Serbisë me kërkesë të ministrit Damian Gjiknuri. Kreu i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ka qenë pjesëmarrës në takimin e Komunitetit të Energjisë në Sarajevë dhe ka ngritur shqetësim çështjen se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të përdorin dot linjë e interkonjeksionit të përfunduar në qershor të këtij viti për shkak të bllokimit që i ka bërë Serbia. Serbia nuk lejon që përfitimet nga transmetimi i energjisë në këtë linjë të shkojë për Kosovën, kur gjysma e saj është ndërtuar me paratë e shtetit kosovar dhe shqiptar.

Pas shqetësimit të shprehur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë doli me vendim për hapjen e një çështjeje kundër Republikës së Serbisë për mospërmbushjen e kërkesave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë duke i lënë 31 Dhjetorin 2016 si afat për të zgjidhur situatën. Në këtë çështje, Serbia mbeti e vetme pasi kishte kundër edhe Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Që të bëhet i mundur operimi i kësaj linje duhet që sistemi i transmetimit të Kosovës të njihet nga rrjeti evropian i transmetimit. Kjo kërkon që në praktikë të bëhet ndarja e sistemit të transmetimit të Kosovës nga ai i Serbisë, çka është pjesë e bisedimeve të dialogut Prishtinë – Beograd.  Në vendim e marrë Komuniteti i Energjisë thotë:

Republika e Serbisë duhet të  marrë të gjitha masat e duhura për të ndrequr shkeljen e identifikuar në artikullin 1 dhe të sigurojë pajtueshmërinë me ligjin e Komunitetit të Energjisë deri në dhjetor 2016. Republika e Serbisë duhet t’i raportojnë rregullisht Sekretariatit dhe Grupit të Përhershëm të Nivelit të Lartë në lidhje me masat e marra.

Linja e interkonjeksionit ka kushtuar 42 milion euro. ajo u financua me anë të një kredie të butë të dhënë nga banka gjermane KFW dhe do të paguhet në vite nga Kosova dhe Shqipëria.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *