Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit për zëvendësimin e dokumenteve edhe pse kishin kohë të mjaftueshme për të aplikuar.

Për shkak të mungesës së formularëve, qytetarët shqiptarë nuk mund të marrin pasaporta dhe letërnjoftime në dy gjuhë – shqip dhe maqedonisht.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një konferencë për media të premten tha se qytetarët që ndodhen jashtë vendit pas datës 12 shkurt dhe që kanë dokumente të vjetra udhëtimi, do të mund të kthehen në vend me një fletë udhëtimi, e cila lëshohet në zyrën diplomatike dhe misionet konsullore.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar më 12 shkurt, me procedurë të shpejtë, ndryshimet dhe plotësimet në dy ligje për sigurinë në komunikacion, me të cilat zgjatet vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin Republika e Maqedonisë deri në fund të vitit 2024.

Përdorimi i tyre vlen vetëm brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ndryshimet u miratuan pasi ligji aktual nuk e parashikonte një gjë të tillë.

Ndryshimi i tyre pasoi reagimet e shumta në opinion pasi në rast të kundërt, nga 13 shkurti të gjithë shtetasit me patentë shoferë të vjetër mund të përballeshin me gjoba të larta.

Pasaporta e vjetër dhe ajo e re me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe kalendari i shkurtit 2024, pasi më 13 skadon afati i përdorimit të dokumenteve me emrin e vjetër.

Për gjendjen e krijuar, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që është nga radhët e VMRO DPMNE-së, e cila është pjesë e Qeverisë teknike, ka akuzuar ish-ministrin Oliver Spasovski, duke ftuar organet e ndjekjes të veprojnë për shkeljet ligjore dhe për mosveprim në kohë.

Akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga Lidhja Social Demokrate e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski duke akuzuar opozitën për përhapje të panikut.

“Përhapja e panikut dhe dhënia e çfarëdo deklarate populiste që nuk është në drejtim të zgjidhjes së problemit me dokumente personale, nuk sjell asgjë të mirë”, thuhet në reagimin e LSDM-së. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *