Komisionerja Europiane e Çështjeve të Brendshme, Ylva Johansson deklaroi se ekziston një rrezik i shtuar për sulmet terroriste në BE, gjatë sezonit të festave. Shkak i rrezikut të lartë, sipas Johansson është lufta në Lindjen e Mesme, që ka krijuar një polarizim në shoqëri në mbështetje të Izraelit apo Palestinës.

 

Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion 30 milionë euro shtesë për të rritur sigurinë. Deklaratat erdhën disa ditë pasi një turist u godit me thikë për vdekje në Paris.

 

“Ne e pamë sulmin në Paris, për fat të keq e kemi parë edhe më herët,” shtoi ajo përpara një takimi të ministrave të brendshëm të BE-së.

 

Një paralajmërim i ngjashëm erdhi nga ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, e cila u tha gazetarëve se BE-ja duhej të vëzhgonte me vëmendje kërcënimet dhe propagandën, pasi ekzistonte një “rezik i lartë emocionalizimi dhe radikalizimi i mëtejshëm i autorëve të dhunshëm islamikë.

 

Shumë vende evropiane kanë parë një rritje të krimeve me bazë urrejtjen ekstremiste që kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan komunitetet izraelite, duke lënë rreth 1200 njerëz të vdekur dhe shumë të tjerë të mbajtur peng në Gaza. Pushtimi izraelit i Gazës që atëherë ka lënë më shumë se 15,000 njerëz të vdekur, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *