Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të hetohen rastet e akuzave për parregullsi gjatë zgjedhjeve që u mbajtën në Serbi më 17 dhjetor dhe që të ruhet qetësia.

Kështu tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, duke u përgjigjur në pyetje rreth zhvillimet e fundit në Serbi, ku po vazhdojnë protestat me kërkesa për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen zgjedhjeve të reja.

“Ankesat për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen dhe të adresohen në mënyrë të duhur. Përderisa e drejta për protesta paqësore duhet të respektohet, dhuna nuk është zgjidhje dhe është e papranueshme”, tha ajo.

Më 17 dhjetor, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, lokale dhe krahinore.

Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.

Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha më 18 dhjetor se zgjedhjet u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, me fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Ndërkaq, eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet serbe.

Shtetet e Bashkuara po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet për parregullsi të bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Më 24 dhjetor, lista opozitare, “Serbia kundër dhunës” – që ka organizuar disa protesta kundër rezultatit zgjedhor – protestoi para Kuvendit Komunal në Beograd, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

Protesta ishte e tensionuar, pasi protestuesit thyen xhamat e dritareve të objektit, teksa tentuan të hynin në Kuvendin Komunal të Beogradit.

Massrali nga BE-ja tha se “veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të njeriut, brenda sundimit të ligjit”.

“BE-ja bën ftesë për qetësi dhe dialog”, tha ajo.

Deri më tani, BE-ja ka qenë e përmbajtur në prononcimet për zhvillimet në Serbi. Nga Brukseli kanë folur për nevojën që të adresohen vërejtjet dhe parregullsitë, por nuk u janë adresuar konkretisht kërkesave të opozitës dhe studentëve që po protestojnë./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *