Paketën e kryedemokratit Lulzim Basha për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë, kryeministri Edi Rama e cilësoi si jo serioze. Duke iu referuar vendimmarrjeve të tij në të kaluarën, Edi Rama e krahasoi shefin e opozitës me një shalqi që rezultoi kungull.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Atë që ju quani kandidat për Kryeministër, është shalqi me provë. Domethënë i pangrënshëm se nuk është i ardhur nga hëna, po ka qenë në provë disa herë dhe natyrisht shkuarja në ekstrem me propozime të ashtuquajtura platforma alternative është shprehje e një mungese serioziteti e provuar dhe largqoftë të kishte ndodhur që flama e COVID-it ta kishte gjetur këtë vend me atë kandidatin dhe me klubin e opozitës së bashkuar në këtë vend.”

Në konferencën e dedikuar për planin e rindërtimit, kreu i qeverisë bëri me dije se deri në fund të Dhjetorit do të mbarojnë së ndërtuari shtëpitë individuale, pjesa më e madhe e shkollave do të jenë rikonstruktuar në një vjetorin e tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i Nëntorit dhe në katër muajt e parë të 2021 do të jenë në proces ndërtimi pallatet.

Pasi pranoi premtimin e papërmbushur për prezantimin e një pakete të tretë të ringritjes së ekonomisë pas daljes nga izolimi për shkak të Covid19, kreu i qeverisë deklaroi se të gjitha masat e ndërmarra deri më tani si heqja e tatim fitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël, programet e nxitjes së punësimit apo rritja e pritshme e pagave për arsimtarët dhe bluzat e bardhë janë pjesë e saj.

“Çlirimi i plotë i biznesit të vogël jo thjesht nga tatim-fitimi dhe TVSH. Nuk flasim thjesht për një do të, por për një ligj të Kuvendit të Shqipërisë. Sot biznesi i vogël deri në 100 milionë xhiro është i çliruar nga tatim-fitimi dhe nga TVSH, plotësisht. Kurse biznesi i vogël deri në 140 është i çliruar nga tatim-fitimi, por ka TVSH. Është edhe clirimi përfundimtar i biznesit të vogël nga inspektimi dhe inspektorët. Nuk do të ketë më inspektime në biznesin e vogël.”

Me akuzën se opozita po bën premtime vetëm për fushatë elektorale, Edi Rama u vetëofrua të çoj vota në favor të Partisë Demokratike.

“Shpresojmë se po të mos pengohemi nga ndonjë forcë madhore, por për zgjedhje, kuksianët nga Londra që më kanë përqeshur dhe tallur në Facebook do ti marr në Londër unë dhe do ti ul po unë me avion në aeroportin e Kukësit, PD do të ketë nga unë 150 vota falas në zgjedhjet e ardhshme…”

Përballë bojkotit të Ligës së Futbollit, ish-basketbollisti Edi Rama nuk tërhiqet.

“Të na kërkojnë 10 vjet pa taksa, futbollistët, kjo nuk funksionon. Jemi dakord për një periudhë starti pa taksa. Futbollisti nuk paguhet sa një pastruese, ne po bëjmë nga 300 mijë lekë minimumi për futbollistët, por këta na deklarojnë 230 mijë lekë. Në botë  Ronaldo dhe Messi përfundojnë nëpër gjykata për këto çështje. Patjetër mund të ketë një ulje fillestare, një TVSH 6% për investimet në sport, mund të shihet taksa për infrastrukturën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *