Policia ka dhënë detaje mbi atentatin e dështuar ndaj Ermir Kërtezit në një lokal në qytetin e Elbasanit.
Sipas policisë sot rreth orës 13:00 në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, Poli Boriçi ka tentuar të vrasë me armë Ermir Kërtezin.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.
Njoftimi:
Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë çon në pranga autorin e dyshuar.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.





