Subscribe

Arsimi profesional tashmë është kthyer në një domosdoshmëri sa i takon fushave të ndryshme të ekonomisë së vendit, në një kohë kur orientimi drejt teknologjisë dhe degëve të mjekësisë, përbën konkurrencë të fortë që vijon prej dekadash.

Në këto kushte, Instituti për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri ka nisur një bashkëpunim me shkollën e mesme të formimit profesional “Beqir Çela” në Durrës si dhe “Albanian University” si pjesë e projektit “Living Labs for Innovative Creators” , i realizuar në kuadër të nismës InnoVET e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.

“Instituti për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri, shkolla e mesme profesionale “Besnik Çela” në Durrës dhe “Albanian University”, shikojnë një model bashkëpunimi në fusha specifike të elektroteknikës, mekanikës dhe inxhinierisë elektrike. Nxënësit që dalin nga arsimi profesional në ekonominë e vendit të formësojnë një mendësi që mbështet sipërmarrjen, ekonominë qarkulluese dhe të mirat shoqërore”, shprehet Eldisa Zhebo, drejtoreshë ekzekutive e INLSH.

Edhe në shkollat e mesme të formimit profesional, interesi i nxënësve orientohet nga kërkesa që ka tregu por edhe përfitimi financiar.

“Tashmë kemi një konkurrencë globale dhe profesionistët e dalë nga shkollat profesionale janë ata që e zhvillojnë më tej dhe i japin një feedback tejet pozitiv biznesit vendas dhe të huaj. Në shkollën profesionale “Beqir Çela”, aktualisht numri më i madh i nxënësve janë tek shërbim mjetesh transporti, mekanika, elektroteknikë dhe teknologji informacioni. Këto janë tre drejtime të rëndësishme sa i takon shkollës por edhe tregut të punës dhe kjo reflektohet pastaj në zhvillimin që ka vendi sa i përket këtyre sektorëve”, thotë Fatmir Mërkuri, drejtor në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela”.

Gjatë viteve të fundit, universitetet në vendin tonë po i japin prioritet certifikimit të njohurive në këtë drejtim , edhe përmes programeve dyvjeçare të studimit.

“Ky lloj bashkëpunimi, me pjesëmarrjen në trajnime, aksesin në laboratorët që kemi në dispozicionin, nxënësve që do të zgjedhin universitetin tonë, i jep mundësinë që të zhvillohen gjithnjë e më shumë profesionalisht dhe të jenë gati për tregun e punës”, thotë dekani i fakultetit të ekonomisë në “Albanian University”, Gerti Dajçi.

Ekspertët e tregut të punës vërejnë se i duhet dhënë edhe më shumë vëmendje formimit profesional të të rinjve duke tërhequr interesin e tyre përmes formave inovative dhe bashkëpunimit me të gjithë aktorët mbështetës. /vizionplus.tv 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *