Subscribe

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka nënshkruar një memorandum me prezencën e OSBE në Tiranë për bashkëpunimin kombëtar në fushata të ndryshme kundër përdorimit të armëve.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se për vitin 2024 ka një ulje të krimeve të rënda, por megjithatë shqetësuese mbeten krimet brenda familjes.

“E vërteta është që kemi një përmirësim të dukshëm gjatë vitit të fundit sa i përket jetëve të humbura, për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit, duke e çuar tashmë Shqipërinë në një nivel të mesatares evropiane. Por unë fokusin e kam tek ngjarjet kriminale, të cilat kanë në bazën e tyre, edhe dhunën me bazë gjinore. Nëse gjatë vitit të kaluar kemi pasur 35 jetë të humbura në ngjarje kriminale, 1/3 ka qenë krim në familje. Ndërkohë nëse do t’i referohemi 4-muajve të pare të vitit, shkon përtej 1/3”, tha Balla.

Balla tregoi dhe shifrat e operacionit ‘Sundimi i Ligjit’ duke nënvizuar se janë sekuestruar qindra armë zjarri.

“Gjatë 300 ditëve të fundit Policia e Shtetit ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm operacionesh policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, kryesisht këto nën ombrellën e operacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit”. Më lejoni t’ju informoj se janë më shumë se 415 armë zjarri të sekuestruara në cilësinë e provës materiale dhe mbi 500 armë të tjera të ftohta, që tregon për një prezencë të madhe të armëve në duart e qytetarëve, por që na shton angazhimin tonë kundër fenomenit armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale”, tha Balla.

Masat dhe kontrollet kundër armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta janë shtuar sidomos në afërsi të shkollave, e kjo për faktin se janë konstatuar edhe të rinj që lëvizin me pistoletë pranë perimetrit të sigurisë./vizionplus.tv/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *