Rikthehet për gjykim inceneratori i Fierit. Vendimi i marrë nga Apeli i Posaçëm këtë të enjte e çon në pikën zero gjykimin në themel të dosjes, ç’ka do të thotë se dënimi në shkallë të parë i të pandehurve nuk ka më vlerë.
Ndryshimi i vetëm është që gjykimi në shkallën e parë do të bëhet me një tjetër trupë gjykuese.
Përpara se vendimi të prishej nga Apeli, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua nga shkalla e parë për dy akuza, atë pastrimit të parave dhe korrupsionit. Atij iu konfiskuan edhe 3.7 milionë euro aksione në kantinën e verës, një vlerë kjo e përafërt me shumën e dyshuar të përfituar nga korrupsioni për të cilën u dënua.
Për pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri togat e zeza kishin pranuar kërkesën e prokurorisë, duke i dënuar me gjykim të shkurtuar me 6 vjet e 8 muaj burg. Stela Gugallja u dënua me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie. Por të tre ata vijojnë të jenë në arrati.
Ndërsa anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Jonida Zeqo e Pëllumb Abeshi u dënuan respektivisht me nga 2 vjet e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Serafin Papa dhe Bardhyl Çabiri, të vetmit të pandehur prezentë në sallën e gjyqit për të pritur vendimin, u dënuan i pari me 1 vit e 4 muaj, ndërsa i dyti me 2 vjet./vizionplus.tv





