Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.

Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
/vizionplus.tv





