Pas anëtarësimit të Shqipërisë në tregun unik të pagesave në euro, është radha e institucioneve financiare të bëjnë aplikime individuale dhe të përshtasin infrastrukturën për të lehtësuar transaksionet e individëve në monedhën europiane.
“Këto përfitime do të mund t’i prekim pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA, çka kërkon që ato të jenë teknikisht të afta të lidhen me këto skema. Për këtë nevojiten investime, të cilat në gjykimin tonë dhe tuajin, justifikohen plotësisht nga përfitimet që ekonomia shqiptare do të ketë nga pjesëmarrja direkte në SEPA. Edhe në këtë rast, Banka e Shqipërisë do të drejtojë procesin dhe do të mbështesë institucionet financiare të plotësojnë kriteret teknike të SEPA-s. Unë sot gjej rastin t’ju nxis të nisni përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse, në mënyrë që të realizoni aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit të ardhshëm”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, guvernatori Sejko nënvizoi edhe nevojën për zgjerimin e mëtejshëm të veprimtarisë së bankingut të hapur.
“Në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e një vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare. Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), i cili do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët”, tha Sejko.
Ndryshe nga bankingu tradicional, open banking është një risi dhe mundëson hyrjen e palëve të treta në treg duke ofruar shërbime më të lira dhe më të shpejta për qytetarët./vizionplus.tv





