Forcat Operacionale të Vlorës kanë finalizuar ditën e djeshme operacionin e koduar “ETERNA”, ku është arrestuar Flodian Plaku, 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas, ngjarje kjo që ndodhi më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë Krujës. Arrestimi u bë në ambientet e një hoteli në Orikum, ku Plaku u lokalizua dhe u kap i armatosur me një pistoletë dhe një krehër me 17 fishekë gati për qitje.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë dhe është pjesë e grupeve kriminale në Vlorë. Hetimet zbuluan se ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën një automjet “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë për të hyrë në banesën e viktimës Gentjan Bejtja, ku më pas kryen vrasjen. Pas ngjarjes, automjeti u largua në aksin rrugor Larushkë–Thumanë dhe më pas u dogj në fshatin Hasan për të fshehur gjurmët.
Lexo edhe :
Gjatë kontrollit në ambientet ku qëndronte Plaku u sekuestruan gjithashtu 25,000 euro cash, 7 celularë dhe një armë zjarri. Në të njëjtën operacion u arrestua edhe shtetasi Julian Aliaj, i cili u kap gjithashtu me armë zjarri.
Policia njoftoi gjithashtu arrestimin në flagrancë të tre personave të tjerë, që dyshohet se kanë ndihmuar në strehimin dhe mbështetjen e Plakut gjatë periudhës që ai ishte në kërkim.
Në konferencën për shtyp, Drejtori i Policisë Vlorë, Elidon Çela, tha se ky operacion vjen si rezultat i një pune intensive hetimore dhe bashkëpunimi me prokuroritë e Vlorës dhe Tiranës, me qëllim goditjen e strukturave kriminale që kërcënojnë sigurinë publike në rajon.
/vizionplus.tv






