Administrata Tatimore reagoi këtë të martë pas aksionit të nisur ndaj fermerëve që tregtojnë qumësht dhe produkte të tjera të bulmetit pa faturë të fiskalizuar.
Tatimet sqaruan se nga rregulli për të lëshuar faturë për produktet përjashtohen tregtarët ambulantë.
“Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë: Të jetë mbi moshën 16 vjeç; Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse; Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore; Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”, njoftoi Administrata Tatimore.
Po ashtu, Tatimet sqarojnë si duhet të lëshohet saktë një faturë për ato subjekte apo pika grumbullimi që tregtojnë bulmet.
“Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën. Lloji i faturës duhet të jetë “blerje nga fermerët vendas”. Vendosni të dhënat e fermerit shitës. Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH. Kujdes! Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga fermeri”, njoftoi më tej.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë shpjegoi se ky aksion nuk ka për qëllim vendosjen e gjobave, por formalizimin e sektorit dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
Pavarësisht reagimit institucional, mbetet ende e paqartë si do të bëhet gjurmueshmëria e çdo produkti që konsumohet, kur një kategori fermerësh përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë tatimore.
/vizionplus.tv





