Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.
Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.
Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.
Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.
Më 27 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Gjykata theksoi se seanca konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues dhe si i tillë realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”, u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë thuhet në aktgjykim?
Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se mandati i deputetit dhe ai i Kuvendit është i ndërlidhur dhe përfaqësimi i popullit nga deputetët nuk mund të jetësohet pa konstituimin e Kuvendit.
Për konstituimin e Kuvendit, në aktgjykim u tha se të gjithë deputetët duhet të votojnë.
“Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës”, u tha në vendim.
Gjykata kujtoi se partia fituese, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Megjithatë, Kushtetuesja tha se kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për “bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm”.
“Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit”, u tha në aktgjykim, ku u shtua se ky detyrim “vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit”.
Gjykata Kushtetuese tha se është detyrë dhe e drejtë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit.
Lënda u dërgua në Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Kërkesa e tyre kishte të bënte me vlerësimin e kushtetutshmërisë lidhur me ndryshimin e votimit nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga i hapur në të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë. /REL/





