Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi pamje të reja nga qendrat e votimit në qarkun e Elbasanit për të treguar se 11 maji ishte farsë elektorale.
Në këto pamje, komisionerët shoqërojnë qytetarët në dhomat e fshehta dhe shohin si votojnë duke cenuar fshehtësinë e votës.
“Komisionerja kontrollon çdo votë. Edhe ky komisioner kontrollon çdo votë. Pra, votojnë komisionerët”, deklaroi Berisha.
Në këtë qendër, PS ka fituar 138 ose 77%, ndërsa PD 29 vota ose 16% dhe sipas Berishës, këto pamje janë provat për ndikimin e krimit në zgjedhje.
“Këtu po të marrësh qendrën e votimit del Sara Mila, sepse aty ku hanxharët e krimit kanë kërcënuar njerëzit, i kanë detyruar të mbyllin sytë”, tha kreu i PD.
Ndërkaq, Berisha, sot i bëri jehonë medias amerikane Fox News, e cila pak ditë më parë publikoi një opinion të Agim Neshos, në titullin e të cilit kryeministri Rama cilësohej si Ramaduro.
“Një media e pavarur, Fox News, e kllapos Edi Ramën si Ramaduro i Europës. Por e vërteta është se Edi Rama me Nikola Maduron janë në garë dhe në disa aspekte, Rama i ka edhe më të zeza”, tha Berisha.
Por, ndërsa vlerësoi Fox News, Berisha në vitin 2008 e ka cilësuar një prej gazetave më të mëdha në botë, New York Yimes si letër higjienike, për shkak se publikoi akuza ndaj djalit të tij, qëndrim të cilin e përsëriti edhe sot.
“Në vitin 2008, ‘New York Times’, një gazetë e respektuar nga unë, publikoi një shkrim, në të cilin absolutisht publikoi një trillim të faktuar mbrapa si trillim. Dhe unë i bëj një letër dhe i them se këto që keni shkruar ju nuk janë të vërteta dhe unë mund t’ua faktoj një, dy, tre. Dhe ‘New York Times’ ra aq poshtë, dhe nuk kishte të bënte me titull, kishte të bënte me fakte të shkruara brenda në artikull, saqë nuk botoi letrën. Dhe unë atëherë thashë atë që thoni ju”, tha kreu i PD./vizionplus.tv





