Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy vëllezër, Kreshnik dhe Agim Gashi për vrasjen e 41-vjeçarit Elton Javori, ngjarje e ndodhur më 7 dhjetor 2023.
Gjithashtu Prokuroria ka dërguar në gjyq edhe tre persona të tjerë, të cilët akuzohen për veprën penale moskallëzim krimi e përkrahje të autorit.
Lexo edhe :
Vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpuim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi R.P.akuzohet për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, shtetasin A.L. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe shtetasja E.Xh. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” e parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.
Prokuroria njofton se në përfundim të hetimeve të plota, rezultoi e provuar se, në datë 07.12.2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, të pandehurit Kreshnik Gashi e Agim Gashi, vëllezër, në bashkëpunim mes tyre, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga shtetasit Elton Javori, i moshës 41 (dyzet e një) vjeç, i cili ndërroi jetë.
Si ndodhi ngjarja
Më 7 dhjetor 2023 Elton (Erjon) Javori, 41 vjeç u ekzekutua në derë të shtëpisë. Ai kishte vetëm dy javë që ishte kthyer nga Gjermania dhe ishte ndjekur prej ditësh nga ekzekutori i tij, Agim Gashi, 35 vjeç.
Pasi doli nga shtëpia me makinë, Javori u ndoq për rreth 100 meta nga automjeti tip “Benz” brenda të cilit ndodhej Gashi. Pasi iu afrua e qëlloi me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur.
Pas disa muajsh kërkime, më 27 shtator 2024, policia e Fierit arrestoi Kreshnik Gashin.
Ndërkohë vëllai i tij, Agim Gashi vijon të jetë ende në kërkim./vizionplus.tv






