KQZ vendosi sot të hapë kutitë e materialeve zgjedhore në 233 qendra votimi, për të cilat Partia Demokratike kërkoi transparencë.
Dy anëtarë të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, të propozuar nga PD, Ledio Braho dhe Elvis Cefa, vendosën që një grup pune të verifikojë materialet zgjedhore në të gjitha këto kuti.
“Këqyrja të bëhet atje ku janë kutitë e materialeve zgjedhore, i njëjti proces si këtu, subjekti ankues ka të drejtë të sjellë vëzhgues, procesi do të vazhdojë nga administrata e KQZ. Në secilën nga këto kuti të dalë numri i fletëve të papërdorura.”, tha Ledio Braho, anëtar i KAS.
Këto 233 qendra votimi kanë raportuar zero fletë votimi të papërdorura dhe, sipas KQZ, kjo vjen për shkak të gabimit të komisionerëve, pasi fletët janë në kuti. Por PD ka ngritur dyshime për manipulim të procesit zgjedhor.
Por pretendimet e PD u rrëzuan sot, pasi nga hapja e 4 kutive në bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq, treguan se 2222 fletë votimi të papërdorura ishin në kuti, edhe pse komisionerët gabimisht nuk i kishin raportuar.
Pak ditë më parë, PD ngriti pretendimin se procesi zgjedhor është manipuluar, pasi 130 mijë fletë votimi që nuk janë përdorur nuk figurojnë në të dhënat e KQZ.
KQZ vetë sqaroi PD se prej këtyre, rreth 100 mijë fletë votimi ndodhen në kuti, por gabimisht komisionerët nuk i kanë raportuar.
/vizionplus.tv





