Nga SPAK ku është e detyruar të paraqitet një herë në muaj, Monika Kryemadhi tha se arrestimi i Erion Veliajt është për të treguar se SPAK është neutral.
“Lëvizjet që kanë ndodhur në SHBA i japin një shans të ri jo vetëm politikës shqiptare, jo vetëm opozitës, por edhe sistemit të drejtësisë. Mendoj që edhe rasti i fundit pra arrestimi i Erion Veliajt ka ardhur si një rezultat për të balancuar lëvizjet e njëanshme të spak-ut”, u shpreh kryemadhi.
GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.





