Në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” mes lojës dhe mësimeve, jeton Vijonisi. Ai është vetëm 13 vjeç, por ka ëndrra të mëdha. Nuk ka një shok të ngushtë, jo sepse nuk do, por sepse, siç thotë ai vetë, të gjithë i do njëlloj. Një ditë e zakonshme për të fillon herët në mëngjes, me shkollën dhe detyrat dhe ëndrrat e tij nuk ndalen. Ai do të bëhet artist.
“Zgjohem në mëngjes, bëhem gati, shkoj në shkollë dhe ndjek procesin e mësimit. Kthehem në shtëpi, bëj detyrat dhe kam kohën e lirë të luaj me shokët. Më pëlqen teatri, kori dhe futbolli. Një çerek ore merrem me libra, kam marrë libra të shkollës dhe lexoj. Mund të pikturoj, mund të lexoj, mund të bëj shumë gjëra”, thotë Vijonisi.
Për Vijonisin, gjithçka është një mundësi për të mësuar diçka të re. Një fletë e bardhë mund të kthehet në një vizatim, një aktivitet në një mundësi për të bërë diçka më të madhe.
“Më pëlqen ngaqë mund të nxjerr veprat e mia, t’i shes. Mund të fitoj lekë dhe kur të rritem mund të bëj piktura, t’i ekspozoj dhe mund të ndihmoj këtu. Kemi zhvilluar një aktivitet dhe prej asaj dite unë kam fituar bursë”, tha Vijonisi.
Ndërkohë, institucioni po përpiqet që ai dhe fëmijët e tjerë të kenë një shans më të mirë.
“Në shtëpi për momentin kemi 36 fëmijë dhe jemi duke punuar shumë të kemi sa më pak fëmijë në këtë shtëpi sepse vendi që meriton me të vërtetë çdo fëmijë është familja. Ne jemi duke punuar fort që disa prej tyre të rikthehen te familja e tyre, disa mund të birësohen, jemi në pritje për tu shpallur të braktisur dhe 7 fëmijë pasi janë shpallur tashmë 3 dhe janë në pritje për tu birësuar dhe gjithashtu kemi edhe lëvizje të tjera për tu ofruar shtëpi famije”, tha drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, Valbona Imeraj.
Për Vijonisin, një ditë e zakonshme është një ditë plot gjallëri. Ai e sheh të ardhmen si një kornizë që mund ta mbushë me ngjyra, libra dhe mundësi./vizionplus.tv





