Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, plagosja e 19-vjeçarit Aron Demiraj dhe kapja e një 13-vjeçari në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Bilishtit janë KRYEFJALA në ditët e fundit.
Po gabon roli i prindërimit, institucionet arsimore apo rrjetet sociale po ndikojnë negativisht tek fëmijët?
Ndërkohë qeveria do të hedhë në diskutim dy propozime, atë të mbylljes së dy rrjeteve sociale që përdorin më shumë adoleshentët, Tik Tok dhe Snap Chat, apo përdorimin e tyre me filtra.
Në emisionin “Quo Vadis” u diskutua këtë të enjte në Vizion Plus tema “Thika, Protesta dhe Propagantë”.
I ftuar në studio Migen Qiraxhi i “Qendresës Qytetare” tha se nuk gjendet zgjidhja tek mbyllja e rrjeteve sociale.
Ai u shpreh se institucionet shtetërore duhet të hyjnë në biseda me platformat me përmbajtje joedukative në mëyrë që ato të mos aksesohen.
Qiraxhi: Dilema është e tillë a ka përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët? Sigurisht që po. Por, unë nuk besoj se bëhen më të mençur fëmijët nëse mbyllen rrjetet sociale. Ne mund të ndezim një debat që institucionet shtetërore të hyjnë në biseda me këto platform që kanë përmbajtje joedukative që të mos aksesohen. E hedhur në formën e konsultimit publik kemi të bëjmë me një gur të hedhur në lumë. Fati më i keq është që ne diskutojmë për sigurinë e fëmijëve , ne duhet të diskutonim për testin PISA.
Kujtojmë se Tirana u trondit më18 nëntor, pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë. Autori ishte një adoleshent tjetër, 15 vjeç. Të rinjtë u përfshinë në një sherr me thika sapo dolën nga shkolla “Fan Noli” ku studionin. Goditja me thikë në zemër rezultoi fatale për Canin. Dy adoleshentë të tjerë, mes tyre autori kanë mbetur të plagosur. Policia e Tiranës ka arrestuar 15-vjeçarin, autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij. I mituri akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
E njëjta skenë kriminale me protagonistë dy studentë të universitetit privat “Metropolitan” janë përfshirë në një konflikt ditën e sotme që përfundoi në përdorim e armëve të ftohta. Pak metra larg institucionit arsimor, autori i dyshuar Ajdin Ajvazi ka plagosur me thikë 19-vjeçarin Aron Demiraj.
Po ashtu një 13-vjeçar, nxënës në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Bilishtit është kapur brenda ambienteve të shkollës me një mjet prerës biçak. Ka qenë mësuesja e kësaj shkolle ajo që ka marrë informacion dhe më pas ka kontrolluar çantën e nxënësit, ku ka konstatuar dhe praninë e mjetit prerës. Pasi ka gjetur biçakun në çantën e nxënësit ka lajmëruar drejtorinë e shkollës e më pas policinë. Këta të fundit në prani të psikologes së shkollës kanë marrë në pyetje nxënësin, i cili mësohet të ketë thënë se e ka blerë në një dyqan në qytetin e Bilishtit, pa treguar me tej arsyet e kësaj blerje. /vizionplus.tv





