Në ditën e tretë të Samitit Botëror të klimës që po mbahet në Azerbajxhan, udhëheqësit pjesëmarrës mbajtën fjalimet e tyre, ndërsa raporti i fundit tregon dështimin për të ulur emetimet e karbonit.
Kryeministri Rama zgjodhi të mos lexojë fjalimin e bërë gati më herët, duke shprehur shqetësimin se procesi ndërkombëtar për të trajtuar ngrohjen globale, nuk po ecën me shpejtësi të mjaftueshme.
“Vendosa të lë mënjanë fjalimin tim të përgatitur shumë mirë sepse që prej ditës së djeshme po shoh ekranet e heshtura ku organizatorët shpalosin planet nga kolltukë të rehatshme. Njerëzit aty hanë, pinë, takohen dhe bëjnë fotografi së bashku, ndërsa imazhet e liderëve luhen vazhdimisht në sfond. Për mua, kjo më duket saktësisht si ajo që ndodh në botën reale çdo ditë. Jeta vazhdon, me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona, për luftimin e ndryshimeve klimatike, nuk ndryshon asgjë”, tha kreu i qeverisë.
Rama nënvizoi deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres i cili tha se emetimet e karbonit u rritën që nga viti i kaluar në vend qe të uleshin.
“Çfarë do të thotë për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht? Çfarë do të bëjmë ne në këtë mbledhje, nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota?”, tha Rama.
Qëllimi kryesor i konferencës në Azerbajxhan është të sigurojë një marrëveshje të gjerë ndërkombëtare financimi për klimën që siguron deri në triliona dollarë për projektet klimatike.
Vendet në zhvillim shpresojnë për angazhime të mëdha nga vendet e pasura, të industrializuara, që janë kontribuesit më të mëdhenj historikë në të ashtuquajturën ngrohjen globale, dhe disa prej të cilave janë gjithashtu prodhues të mëdhenj të lëndëve djegëse fosile./vizionplus.tv





