Shtatori do të sjellë më shumë të ardhura për punonjësit e pushtetit vendor. Nga rritja e rrogës do të përfitojnë të paktën 36 mijë të punësuar në 61 bashki dhe institucionet e varësisë. Sipas vendimit të miratuar në qeveri rritjen më të madhe do ta përfitojnë të punësuarit në bashkitë e vogla dhe të mesme.
Shtesa e pagës për bashkitë e vogla do të jetë mesatarisht 90 për qind më e lartë, për të mesmet 80 për qind dhe për bashkitë me numrin më të madh të popullsisë rroga do të rritet me 60 për qind. Me këtë vendim Arbjan Mazniku ministri i shtetit për pushtetin vendor tha se pagat e të punësuarve janë unifikuar, pra një arkitekt do të paguhet njësoj si në bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Cërrikut.
“Riklasifikuam nivelet e pagave duke ndryshuar skemën, nga një skemë e cila i ndante bashkitë në pesë grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkisë kishte dhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuara, duke i dhënë mundësinë një personi i cili është jurist merr paga të ngjashme në të gjithë bashkitë.”
Të dhënat e censit do të ndryshojnë edhe formulën e mbështetjes financiare që qeveria i jep secilës bashki.
“Në buxhetin e ri për vitin 2025 do të ketë një formulë të re të grantit ku një nga elementët do të jetë edhe treguesi i performancës. Mënyra sesi do të shpërndahen paratë nëpërmjet grantit do të jetë një mënyrë e re por asnjë bashki nuk do të marrë më pak para se një vit më parë.”
Rritja e rrogave të të punësuarve në pushtetin vendor do të përballohet nga kontigjenca për rritjen e pagave dhe nga të ardhurat e vetë bashkive./vizionplus.tv





