Policia e Komisariatit nr.4 në Tiranë finalizoi operacionin e koduar “FRESKU”.
Një 27-vjeçar që posedonte dhe tregtonte lëndë narkotike dhe municion luftarak u prangos ndërsa u sekuestruan lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.
S. S., 27 vjeç, banues në Zall – Bastar, tregtonte kanabis për shtetas të ndryshëm, përdorues të saj, në zonën e Freskut, Tiranë, si dhe tregtonte municion luftarak.
Mbi bazën e këtyre informacione u organizua puna për kapjen e tij në flagrancë.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj shtetasit S. S., në rrugën “Qemal Deliu”, është gjetur një sasi lënde, e dyshuar cannabis sattiva. Menjëherë është ushtruar kontroll në banesën e tij, në rrugën “Muhamed Deliu”, ku është gjetur dhe një qese e mbushur me lëndë të dyshuar cannabis sattiva, gjithsej 836.6 gramë.
Ky shtetas kishte dhe një banesë në fshatin Selitë, Tiranë dhe nga kontrolli në këtë banesë janë gjetur dhe sekuestruar 40 kuti kartoni të mbushura me fishekë luftarak, 8 karikatorë ( gjithsej 1 318 fishekë) dhe fitil zjarrpërcjellës.





