Vladimir Putin ka marrë zyrtarisht mandatin e katërt të presidencës ruse, duke e zgjatur pushtetin e tij me 6 vjet të tjerë. Në një ceremoni madhështore, në pallatin e madh të Kremlinit, me dorën e tij të djathtë në një kopje të kushtetutës, Putin u betua për t’i shërbyer popullit rus, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë dhe për të mbrojtur sovranitetin e vendit.
“Duke marrë këtë post, ndjej një ndjenjë kolosale të përgjegjësisë. Objekti i jetës sime dhe puna ime do të jetë për t’i shërbyer popullit dhe atdheut. Ne jemi të hapur për dialog. Së bashku me partnerët tanë do të promovojmë aktivisht projektet e integrimit dhe do të ndërtojmë marrëdhënie biznesi, humanitare, kulturore dhe shkencore me partnerët tanë. Ne jemi për bashkëpunim reciprok dhe të dobishëm me të gjitha shtetet, në interes të paqes dhe stabilitetit në planetin tone.”
Në zgjedhjet e 18 marsit, Vladimir Putin arriti një fitore me rreth 77% të votave përballë asnjë kundërshtari serioz. Pas ceremonisë së betimit, vëmendja më e madhe tashme është fokusuar tek propozimi i Putin për kryeministrin. Nëse ai nuk do të zgjedhë kreun aktual të ekzekutivit, Dimitri Medvedev, kjo mund të paraqesë një qasje të re mbi politikën.





