Policia e Rrogozhinës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti që mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Siç bëjnë me dije blutë, rreth orës 01:00, të datës 13.09.2026, shërbimet e Policisë morën informacion se një shtetas po kërcënonte me armë zjarri, për motive të dobëta, një 35-vjeçar.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, u organizua puna, duke lokalizuar banesën ku ndodheshin shtetasit A. I. dhe O. T. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, ku ndodheshin këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Shtetasi A. I., për motive të dobëta, kishte kanosur për vrasje shtetasin A. S., 35 vjeç, nga Tirana, i cili po shkonte te banesa e një 36-vjeçareje, ku ndodheshin dy shtetasit A. I. dhe O. T.
Në përfundim të operacionit u vunë në pranga shtetasit A. I., 26 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja” dhe O. T., 21 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndaj 36-vjeçares, banuese në Rrogozhinë, e cila nuk ndodhej në banesë kur ndodhi konflikti mes dy shtetasve.
Arma e zjarrit dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike.





