Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Europën se çdo vendosje e trupave evropiane në territorin e Ukrainës do të konsiderohej nga Moska si një “luftë kundër Rusisë”.
Duke iu referuar diskutimeve të liderëve evropianë për mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake në Ukrainë, Putin e cilësoi një skenar të tillë si përshkallëzim të drejtpërdrejtë të konfliktit.
“Ata po thonë se po shqyrtojnë mënyrën e dërgimit të trupave në territorin ukrainas. Kjo do të thotë një luftë kundër Rusisë”
Kreu i Kremlinit akuzoi gjithashtu liderët evropianë se po përpiqen të frikësojnë qytetarët e tyre përmes asaj që ai e cilësoi si një “kërcënim imagjinar” nga Rusia.
Moska e ka konsideruar prej kohësh praninë e trupave perëndimore në Ukrainë si një vijë të kuqe. Ndërkohë, ideja e një force evropiane në Ukrainë është diskutuar nga liderët e vendeve të kontinentit në kuadër të skenarëve për garantimin e sigurisë së vendit pas përfundimit të luftës.
Deklaratat e Putin vijnë në një moment kur diskutimet për rolin e Europës në sigurinë e Ukrainës dhe të ardhmen e konfliktit mbeten ndër çështjet më të ndjeshme në përplasjen mes Moskës dhe Perëndimit.





