Jared Kushner, i dërguari i posaçëm dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se shpreson që brenda pak javësh të mund të njoftohen “hapa të rinj” në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Shpresoj vërtet që pas disa javësh të jem në gjendje të njoftoj se cilët do të jenë hapat e ardhshëm”, tha Kushner gjatë forumit Yalta European Strategy, që po zhvillohet në Kiev.
Lexo edhe :
Kushner dhe i dërguari tjetër i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, vizituan javën e kaluar Moskën dhe më pas, për herë të parë, Kievin, në përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re procesit diplomatik për përfundimin e luftës.
“Besoj se po vazhdojmë të bëjmë përparim”, tha Kushner, duke e cilësuar procesin si të ndërlikuar.
“Bëhet fjalë për probleme shumë komplekse. Por mendoj se vazhdojmë të bëjmë përparim. Angazhimi i të dyja palëve ka qenë shumë konstruktiv dhe pozitiv”, shtoi ai.
Sipas Kushnerit, presidenti rus Vladimir Putin tashmë është i gatshëm për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.
Raunde të shumta negociatash gjatë vitit të kaluar nuk kanë sjellë rezultate konkrete përtej shkëmbimit të të burgosurve të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Të dyja palët vijojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara, ndërsa një nga çështjet kryesore ku përplasen është ajo e territoreve pjesërisht të pushtuara nga Rusia, të cilat Moska kërkon t’i aneksojë.






