Kryeministri Edi Rama ka vazhduar debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rrjetet sociale duke publikuar nivelin e pagave të magjistratëve në 10 vende të rajonit.
Sipas tabelës së publikuar nga kryeministri, sot gjyqtarët e prokurorët shqiptarë renditen të dytët pas Rumanisë për nivelin e pagave në rajon, e nëse aplikohet rritja që qeverisja e gjyqësorit miratoi pak ditë më parë, magjistratët shqiptarë bëhen më të paguar se kolegët e tyre në Rumani, Greqi, Bullgari.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan Rama.
Debati mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë pritet të vazhdojë edhe këtë javë, pasi komisionet parlamentare të hënën nisin diskutimin e ndryshimeve ligjore që garantojnë rritjen e pagës për gjyqtarët e prokuroët.
Të hënën ky draft kalon në komisionin e ekonomisë e pasi të kalojë edhe në komisionin e ligjeve të enjten ligji pritet të miratohet në seancë plenare.
Projektligji parashikon rritjen e pagës me 80% për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme dhe rritjen me 85% të pagës së Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese. Ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë do të përfitojnë një rritje page vetëm 0.02%.
Opozita ka dalë kundër këtij ligji i cili sipas saj nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kundër janë shprehur edhe vetë magjistratët.
Në shkurtin e këtij viti, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Parlamentin që të rrisë pagat e gjyqtarëve duke e lënë në dorën e ligjvënësit miratimin e një formule të re për pagat e gjyqtarëve. Kushtetuesja i vuri afat Kuvendit deri në datën 31 korrik për miratimin e ndryshimeve ligjore; afat ky që nuk u respektua nga parlamenti.
Në këtë situatë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë miratoi rritjen e pagës për magjistratët duke përshkallëzuar konfliktin mes qeverisë e sistemit të drejtësisë.





