Policia e Tiranës ka arrestuar një 56-vjeçar në Vorë, i cili dyshohet se ka kanosur kushëririn dhe familjarët e tij, me qëllim për t’u marrë shumën prej 300 mijë eurosh.
Në kuadër të operacionit të koduar “Mesazhi”, u arrestua Ardian Muka, banues në Vorë. Sipas policisë, kushëriri i tij kishte kallëzuar se në portën e banesës në fshatin Gërdec kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve.
Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, policia sekuestroi municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes dhe një telefon celular.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.





