Një operacion i koduar “Hallkat” është finalizuar nga Policia e Durrësit kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre te grupet kriminale në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona. Në pranga ka rënë një 34-vjeçar, banues në Kukës, i dyshuar për trafikimin e armëve dhe municionit, si dhe për prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta.
Gjithashtu është arrestuar një 39-vjeçare, e cila akuzohet për moskallëzim të krimit.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin dy të arrestuarit po lëviznin në Maminas, policia gjeti 3 pistoleta dhe 34 fishekë luftarakë.
“Si rezultat i punës hetimore dhe operative, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet konstatimit dhe goditjes së rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit, në Shqipëri, me qëllim shitjen grupeve kriminale në qytete të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Hallkat”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe shtetasja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta) dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjet 1 armë e ftohtë (dorezë hekuri).
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/vizionplus.tv





