Sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite kanë interceptuar dy raketa balistike të lëshuara nga Jemeni, të cilat kishin si objektiv rafineritë e naftës në qytetin Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq.
Autoritetet saudite aktivizuan alarmet e emergjencës në Yanbu dhe në qytetin portual Jizan, pranë kufirit me Jemenin, por më pas njoftuan se rreziku kishte kaluar. Deri tani nuk janë raportuar dëme apo viktima.
Sulmi vjen pas përplasjeve të reja mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi, grup i mbështetur nga Irani, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit. Huthët kanë deklaruar një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite dhe pretendojnë se kanë goditur më herët anije nafte saudite në Detin e Kuq.
Në përgjigje të këtyre sulmeve, koalicioni i udhëhequr nga Riadi ka nisur goditje ajrore ndaj pozicioneve të Huthëve në Jemen.
Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se Irani nuk është ende gati për të arritur një marrëveshje.
“Po flasim me ta. Mendoj se janë seriozë. Mendoj se po bëhen më seriozë me kalimin e ditëve, ndoshta për arsye të qarta. Kjo nuk do të thotë që jemi atje. Do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme vazhdojnë, ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mbetet një nga çështjet kryesore në rajon.
/vizionplus.tv





