Deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, e ftuar në emisionin Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka komentuar situatën politike në vend, si dhe protestën qytetare.
Spahiu tha se është shqetësuese dhuna që po ndodh në Parlament, duke e cilësuar atë të shëmtuar.
Sipas saj, kjo protestë nuk ka lidhje me protestën qytetare që zhvillohet çdo pasdite para Kryeministrisë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si ndiheni kur jeni në sallën e Parlamentit, ndërsa jashtë ka qytetarë që protestojnë, ndaj të cilëve hidhet ujë, dhunohen, madje mes tyre ka edhe njerëz me aftësi të kufizuara?
Spahiu: Protestat qytetare që kanë kërkesa të vlefshme për vendin duhen dëgjuar me kujdes dhe duhen nxjerrë mësime prej tyre. Kur ato zhvillohen në një formë qytetare, që përjashton dhunën dhe përdorimin e forcës ndaj Policisë së Shtetit, mendoj se vetëm e forcojnë një qeveri dhe një vend.
Ajo që mua më shqetëson dhe me të cilën nuk jam dakord është diferenca mes protestave rreth Parlamentit, ku disa elementë të caktuar tentojnë t’i ndryshojnë formën një proteste qytetare. Ato nuk ngjajnë aspak me protestën që zhvillohet çdo pasdite. Kjo më shqetëson, sepse nëse vijojmë me modelin e dhunës dhe të molotovit, kjo nuk na çon askund.
Kjo reflektohet edhe brenda seancës plenare. Unë, si nënkryetare e Kuvendit, kam parë edhe herë të tjera kur është bllokuar Parlamenti, por problemi qëndron se jemi në një moment kur Parlamenti duhet të jetë pararojë e një procesi. Sot ishte edhe dita e bilancit të një viti pune. Ne e duruam seancën e kaluar për gjashtë orë vetëm që të dëgjonim institucionet e pavarura.
Unë e kuptoj qasjen e opozitës, që synon të bllokojë punimet, por për çfarë i shërben kjo? Është një strategji që i ka çuar në dështim. Parlamenti nuk e ka pasur asnjëherë këtë ritëm kaq të shpejtë. Jemi në një proces që nuk mund ta ngadalësojmë. Ajo që më shqetëson është dhuna.
Borakaj: Por çfarë keni reflektuar ju në këto 50 e ca ditë?
Spahiu: Mazhoranca ka detyrë të dëgjojë dhe të reflektojë.
Borakaj: Çfarë keni reflektuar?
Spahiu: Ne jemi në Parlament dhe kemi për detyrë të miratojmë ligje. Akti normativ që miratuam sot ishte për të mbështetur fëmijët me aftësi ndryshe. Si ndihem unë kur dikush më godet me vezë ose me gurë?





