Një incident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor drejt Thethit, ku për pak sa nuk u shënua një tragjedi.
Një grup turistësh, të cilët po udhëtonin me automjet në këtë zonë malore, janë përballur me një moment paniku pasi një shkëmb i madh u shkëput nga mali dhe ra direkt mbi makinën e tyre.
Siç shihet nga pamjet, shkëmbi goditi fillimisht pjesën e sipërme të automjetit, por për shkak të peshës dhe forcës së goditjes depërtoi në kabinë, duke përfunduar mes sediljes së shoferit dhe asaj të pasagjerit të parë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëmet e konsiderueshme që ka pësuar automjeti. Megjithatë, në një moment që mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike, të gjithë personat që ndodheshin në makinë kanë shpëtuar pa lëndime dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi rrezikun e rënieve të gurëve në akset malore, veçanërisht në zonat turistike ku qarkullojnë çdo ditë shumë vizitorë.
/vizionplus.tv





