Në kuadër të Javës së Administratës Publike, e zhvilluar nën moton e ndërtimit të një administrate moderne në shërbim të qytetarëve dhe të procesit të integrimit evropian, u prezantuan nismat kryesore që do të udhëheqin fazën e ardhshme të reformës së administratës publike në Shqipëri.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni theksoi se prioritet mbetet investimi te kapitali njerëzor, rritja e performancës institucionale dhe përafrimi i administratës shqiptare me standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
Ndër nismat e shpallura spikat forcimi i bashkëpunimit me zyrat e karrierës në universitetet shqiptare, me synimin për të krijuar ura më të forta mes studentëve dhe administratës publike, duke e bërë shërbimin civil një zgjedhje gjithnjë e më tërheqëse për profesionistët e rinj.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është krijimi, në bashkëpunim me ASPA-n, i Programit të Mirëseardhjes për nëpunësit e rinj civilë. Ky program synon të lehtësojë integrimin e tyre në institucionet publike, të forcojë kulturën organizative dhe të mbështesë zhvillimin profesional që në ditët e para të shërbimit.
Në funksion të përgatitjes së administratës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, do të zbatohet gjithashtu një program i ri bashkëpunimi me BE-në për konsolidimin e kulturës evropiane të punës në administratën publike. Programi do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe administrative për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave. Në këtë kuadër, do të nënshkruhet edhe marrëveshja me Komisionin Evropian, e cila do t’u mundësojë zyrtarëve shqiptarë të punojnë për periudha të caktuara pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, duke përfituar përvojë të drejtpërdrejtë dhe duke sjellë ekspertizë të re në administratën publike shqiptare.
Një tjetër shtyllë e reformës mbetet zbatimi i modelit të ri të organizimit të administratës shtetërore, i miratuar së fundmi nga Kuvendi, i cili synon të rrisë llogaridhënien, të qartësojë përgjegjësitë institucionale dhe të përmirësojë efektivitetin e administrimit publik.
Paralelisht, do të vijojë thellimi i digjitalizimit të proceseve në administratë, si dhe zbatimi i mëtejshëm i reformës së pagave, me synimin për të konsoliduar një administratë publike moderne, profesionale dhe inovative, në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me standardet evropiane.





