Për dy netë me radhë, Korça u kthye në qendrën e motorëve, muzikës rock dhe adrenalines.
Aktiviteti Korça Moto & Rock Festival mblodhi qindra motoristë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të rajonit, duke krijuar një atmosferë festive që tërhoqi vëmendjen e banorëve dhe turistëve.
Paradat e motorëve në rrugët e qytetit, ekspozimi i modeleve të ndryshme dhe koncertet rock me performanca live i dhanë Korçës një tjetër ritëm.
Një nga risitë e këtij edicioni ishte pjesëmarrja, për herë të parë, e makinave amerikane në paradën festive.
Muzika, energjia dhe pasioni për motorët e automjetet klasike u ndërthurën në një aktivitet që jo vetëm solli gjallëri në qytet, por edhe promovoi Korçën si një destinacion të rëndësishëm për organizimin e eventeve kulturore dhe turistike.
Atmosfera festive, tingujt e motorëve, muzika rock dhe pjesëmarrja e lartë e publikut e shndërruan fundjavën në Korçë në një spektakël të veçantë, duke i dhënë qytetit një tjetër impuls turistik dhe kulturor.





