Universiteti Bujqësor i Tiranës do të presë këtë vit maturantët me një ofertë krejtësisht të re akademike. Në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, ka perfunduar reformimi i programneve të studimit bachelor e master.
Nga 74 që ofroheshin më parë, këtë vit akademik oferta reduktohet në 30 programe, ndërsa maturantët do të kenë mundësi të aplikojnë në 12 programe bachelor.
“Nga 74 programe studimi bachelor dhe master, tashmë fillojmë vitin e ri akademik me 30 programe studimi, duke mos lënë pa përmendur edhe programin e integruar në mjekësi veterinare. Të gjitha programet që do të sjellim gjatë këtij viti të ri akademik janë programe të reja, kurrikulat e të cilave janë përpiluar me diskutimet e vazhdueshme të stafit tonë akademik dhe të ekspertëve që vijnë nga boku i vjenës.
E gjithë filozofia e partneritetit me boku ka të bëjë me reformimin e të gjithë ofertës akademike, pra programet e studimit bachelor dhe master, me reformimin e kërkimit shkencor në UBT dhe reformimin e të gjithë administrimit të procesit mësimor në këtë universitet”, tha Prof. Dr. Ilir Kapaj.
Një pjesë e programeve të universitetit, vijojnë të mbeten në fokus të politikave shtetërore, pasi lidhen me sektorë ku vendi ka nevojë për specialistë. Studentët e regjistruar në degët prioritare kanë përfituar mbështetje financiare gjatë studimeve.
“Tre vitet e fundit kanë qenë programet e bujqësisë në tërësi. Si rezultat i reformës, ato janë shkrirë në programin bachelor të agronomisë dhe në programin e inxhinierisë pyjore. Kemi patur studentë që kanë përfituar pagesë sa paga minimale gjatë periudhës së studimit. Akoma nuk kemi informacion për kuotat dhe programet prioritare të këtij viti akademik. Përtej këtij avantazhi, këto janë profesione që kanë kërkesë të lartë në tregun e punës, si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror, duke e bërë më të lehtë punësimin pas diplomimit”, shtoi Kapaj.
Me ofertën e re akademike, thekson Kapaj, synohet të tërhiqen më shumë maturantë drejt profesioneve që lidhen me bujqësinë, mjedisin e zhvillimin rural. Ndërsa priten vendimet për programet prioritare dhe mbështetjen financiare të këtij viti, universiteti do të sjellë 12 programe të reja bachelor, të cilat presin aplikimet e maturantËve gjatË periudhËs 27 korrik deri më 1 gusht.





