Këto janë mbrëmjet e verës në Shkodër. Rrugët, sheshet dhe lokalet janë të mbushura me turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë bërë pjesë e atmosferës së qytetit. Vizitorët vlerësojnë mbi të gjitha mikpritjen karakteristike shkodrane, gatimet tradicionale dhe pasuritë natyrore që ofron rajoni, nga Thethi dhe Lumi i Shalës, te Liqeni i Shkodrës, Buna dhe Velipoja.
“Vendosëm të vinim këtu dhe na ka lënë pa fjalë. Alpet Shqiptare janë të mrekullueshme. Vizituam edhe Syrin e Kaltër, lumin e Shales dhe atë fshatin. Ndoshta do të rikthehemi një ditë. Shqipëria është një vend shumë i nënvlerësuar. 100% njerëzit duhet ta vizitojnë”
“Jemi nga Anglia. Kërkonim një aventurë. Është ende një destinacion jo shumë i zbuluar për turizmin dhe mendoj se është mirë të vish tani, sa ende ruan kulturën dhe autenticitetin e saj. Na pëlqen shumë. Është absolutisht fantastike”
“Jemi nga Hamburgu i Gjermanisë dhe është hera e parë në Shqipëri. Vendosëm të vinim krejt spontanisht. Na pëlqen shumë ky vend. Kjo pjesë është plot me njerëz dhe ka atmosferë shumë të mirë”
“Jemi nga Amerika. Na pëlqen shumë. Ushqimi është shumë i mirë dhe njerëzit janë të mrekullueshëm. Jemi ndier shumë të mirëpritur”
“Vijmë këtu çdo verë, qoftë edhe vetëm për një darkë. Është fantastike. Më pëlqen shumë që ka kaq shumë njerëz dhe atmosfera është e mrekullueshme”.
“Jam nga Melbourne, Australi. Më pëlqen shumë. Ishim në Theth para disa ditësh dhe ishte e jashtëzakonshme. Notuam në Syrin e Kaltër dhe në lumenjtë përreth. Ka qenë noti më i bukur që kam bërë ndonjëherë në jetën time. E kam seriozisht”.
Interesi në rritje pasqyrohet edhe në statistika. Të dhënat tregojnë se Shkodra ka regjistruar rritjen më të lartë të normës së prenotimeve në tregun e akomodimit afatshkurtër, ndërsa Bashkia Shkodër raporton një rritje prej 25% të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin 2025.





