Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, e cilësoi si një nga gabimet më të mëdha të karrierës së tij parlamentare votën pro ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
I ftuar në emisionin QUO VADIS të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ai u shpreh se sistemi aktual zgjedhor ka dobësuar përfaqësimin e qytetarëve dhe se rishikimi i tij është tashmë një domosdoshmëri.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Mendoni ju se në këtë fazë që jemi ka nevojë patjetër urgjente për ndryshim të sistemit zgjedhor, për të dhënë më shumë zë, më shumë fuqi, më shumë peshë deputetëve?
Piro Lutaj: Unë jam një nga personat që kam votuar në 2008-ën ndryshimin e sistemit. Është një nga gjërat më negative që ka bërë dora ime në parlament.
Borakaj: Kur e kuptuat këtë?
Piro Lutaj: Në momentin që filluan këto kapërzimet, që deputetët ishin më shumë të caktuar sesa të zgjedhur nga qytetarët. Unë personalisht e kam diskutuar edhe me miq, me kolegë, është një nga gabimet e mëdha që kemi bërë. Ndoshta liderët e sotëm vazhdojnë t’i qëndrojnë asaj ideje që ne kemi bërë mirë, por unë nuk i qëndroj. Mendoj që duhet të ndryshojë patjetër.
Borakaj: Duhet të kthehemi sërish në një mazhoritar apo një proporcional kombëtar me një prag zgjedhor? Si e mendon?
Piro Lutaj: Unë jam kundër idesë së kujtdo lideri i cili kujton se duke zgjedhur ca njerëz të cilët janë më të bindur, për momentin mund t’ia dalin. Sepse realisht po na dalin njerëzit që kanë qenë rrotull këtyre liderëve dhe kanë pasur gjithë ato pushtete, tani janë hedhur në sulm a thua se ky lideri këto gjëra i ka bërë vetë. Nuk i ka bërë vetë, me këta është konsultuar. Kështu që unë mendoj që rishikimi i sistemit zgjedhor është një domosdoshmëri për të sjellë realisht përzgjedhjen e njerëzve të cilët do të përfaqësojnë qytetarët.
/vizionplus.tv





