Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të enjte në aksin Levan-Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin tre persona, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Për pasojë, drejtuesi i mjetit, një grua dhe një i mitur kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gruaja dhe i mituri ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit vijon të jetë në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
/vizionplus.tv





