Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët të armatosur po lëviznin me motor në afërsi të Alliasit.
Në pranga ka rënë i afërmi i Ervis Martinajt, 31-vjeçari Emiljano Nina. Gjithashtu u prangos dhe shoku i tij Erion Hoxha. Të dy janë arrestuar në afërsi të banesës së Ilir Selmanit.
Sipas njoftimit policor, arma i është gjetur Erion Hoxhës i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa Emiljano Nina për moskallëzim krimi deri në këtë fazë të hetimit.
Selmani është dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ndërsa u la në ‘arrest shtëpie’ më 19 qershor me vendim të Apelit të Posaçëm.
Nuk dihet pse të arrestuarit ishin pranë banesës së rivalit të Ervis Martinajt, por grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që ata të kenë shkuar për ndonjë atentat.
Megjithatë banesa e Selmanit ruhet me policë jashtë, për shkak se është një personazh i dënuar për krime të rënda.





