Policia Rrugore e Durrësit ka shtuar kontrollet në akset kryesore dhe në pikat hyrëse e dalëse të qytetit, duke përdorur pajisje inteligjente, dronë dhe pika kontrolli me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë javës së fundit, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor janë arrestuar 17 shtetas dhe janë vendosur 1.807 masa administrative.
Fokusi i monitorimit ka qenë drejtuesit e automjeteve që drejtojnë nën efektin e alkoolit, si edhe parkimet dyshe që krijojnë pengesa në qarkullimin e mjeteve. Për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit janë arrestuar 10 shtetas.
Sipas Policisë Rrugore, gjatë kontrolleve janë vendosur 442 masa për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar të mjetit, 35 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 9 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 39 për parakalime të gabuara dhe 1.269 për shkelje të normave të shpejtësisë.
Policia Rrugore Durrës u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të shmangur aksidentet.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Monitorim intensiv, me pajisje inteligjente, me dron, janë ngritur pika kontrolli, në akset rrugore dhe në pikat hyrëse dhe dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë javës që shkoj, për shkelje të normave të ndryshme të Kodit Rrugor, janë arrestuar 17 shtetas, janë vendosur 1807 masa administrative.
Fokus i monitorimit ka qenë ndëshkimi i drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit, si një ndër shkeljet më të rrezikshme dhe më shpesh burim aksidentesh me pasoja. Si dhe parkimet dyshe të cilat bëhen pengesë për trafikun në qytet.
Konkretisht, për këtë shkelje, gjatë javës, janë arrestuar 10 shtetas.
Më tej, janë vendosur këto masa:
-442 për ndalim, pushim mjeti ose qëndrim të gabuar;
-35 për mosvendosje të rripit të sigurimit;
-9 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
-13 për përdorim të pijeve alkoolike;
-39 paraklime të gabuara;
-1269 për shkelje të normave të shpejtësisë.
Policia Rrugore Durrës apelon sërish, për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut publik për përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore, për mbrojtjen e jetës/shëndetit të përdoruesve të rrugës dhe për qarkullimin e lirë dhe pa pengesa në rrugë.





