E hënë, 12 Tetor 2026 Film TV deri në 04:30 Në vijim ora 04:30: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SHBA dhe Irani ndalin sulmet, palët rikthehen në negociata, raundi i ri i bisedimeve mbahet nesër

Pas ditësh tensionesh dhe sulmesh të ndërsjella, Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se po rikthehen në rrugën e diplomacisë. Një zyrtar amerikan bëri të ditur se palët kanë rënë dakord të ndalin sulmet hakmarrëse dhe të rifillojnë negociatat, në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Sipas mediave amerikane, bisedimet pritet të zhvillohen nesër  në Doha të Katarit, ndërsa fillimisht ishte parashikuar që ato të mbaheshin në Zvicër.

Reklamë

Në fokus të raundit të ri të negociatave do të jetë situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë për transportin e naftës, pas incidenteve të fundit ushtarake që rrezikuan lirinë e lundrimit.

Zyrtari amerikan deklaroi se është vendosur ndërprerja e të gjitha aktiviteteve ushtarake dhe se anijet do të mund të lëvizin të sigurta në ngushticë, ndërsa negociatat teknike do të vijojnë për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të arritur mes palëve.

Reklamë

Megjithatë, nga Teherani ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen në bisedime. Autoritetet iraniane kishin refuzuar më herët takimin e planifikuar, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të marrëveshjeve dhe duke kërkuar garanci konkrete, përfshirë aksesin në fondet e zhbllokuara.

Katari, së bashku me Pakistanin, vijon të luajë rolin e ndërmjetësit mes dy vendeve, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreson që rifillimi i dialogut të ulë tensionet në Lindjen e Mesme dhe të krijojë kushtet për një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor iranian dhe sigurinë në rajon.

Vazhdo të lexosh

Reklamë