Taulant Balla në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se mazhoranca nuk do të mbështesë kërkesën e Partisë Demokratike për mocion me debat lidhur me protestën për projektin në Zvërnec.
Kreu i Grupit të PS theksoi se nuk e njeh Partinë Demokratike si ndërmjetëse mes mazhorancës dhe protestuesve, ndërsa u shpreh se respekton qytetarët që ngritën shqetësime për çështjet mjedisore, por nënvizoi se investimi strategjik në Zvërnec do të vijojë.
Balla: Në cilësinë e kryetarit të grupit informova grupin mbi qëndrimin që do mbajmë mbi disa kërkesa që kanë ardhur me debate. Sa i përket një kërkese për mocion me debat mbi disa kërkesa nga grupi parlamentar i PD të lexuara nga protesta e kam thënë dhe duhet ta rishpreh as nuk e pranoj dhe as nuk e njoh partinë e Saliut si interlokutor mes nesh dhe protestuesve. Lidhur me protestën, respektoj të gjithë ata që dolën për çështje që lidheshin me shqetësime, dyshime lidhur me respektimin e normave mjedisore në një investim jetik për vendin si ai në Zvërnec, një investim që do të bëhet sepse është një mundësi e madhe që vjen një herë nuk e di në sa dekada…
Balla reagoi edhe ndaj thirrjeve të protestuesve për dorëheqjen e qeverisë, shpërndarjen e Parlamentit dhe dorëzimin e mandateve, duke vënë në pikëpyetje organizimin dhe drejtimin e protestës.
Balla: Kush e bën këtë thirrjen? Dje kam dëgjuar një prej atyre që e mban veten për organizator. Tha jemi 8 mln shqiptarë, kemi 6 mln ide, 1 mln kërkesa dhe 500 mijë kandidat për kryeministër. Unë po ju them jo bindjen time, por bindjen e shumicës së shqiptarëve që kemi të bëjmë me një protestë që lindi për një rast që unë besoj se ndajmë të njëjtin shqetësim. Dhuna në Zvërnec ishte e paparnueshme. Sot atë çështje e kanë harruar. Sot protestën atyre që nisën ua kanë vjedhur. /vizionplus.tv





