Bordi i Transparencës ka publikuar çimet e reja të shitjes së karburanteve. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e zhvilluar më 13 qershor, çmimi me pakicë i naftës (gazoilit) do të jetë jo më shumë se 183 lekë për litër, nga 188 lekë/litër që ishte më parë, duke shënuar një ulje prej 5 lekësh.
Ndërkohë, çmimi me pakicë i benzinës është përcaktuar në 170 lekë për litër, nga 171 lekë/litër, ose 1 lek më pak se niveli i mëparshëm.
Për shitjen me shumicë, gazoili do të tregtohet me maksimum 171 lekë/litër, ndërsa benzina me 158 lekë/litër.
Sipas Bordit të Transparencës, çmimet e reja hyjnë në fuqi më 13 qershor, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregut të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.





