Për herë të parë lideri demokrat Sali Berisha reagoi për dhunën që policia private Myrto ushtroi ndaj një protestuesi në Zvërnec. Ai dënoi aktin dhe rikujtoi se kur ai drejtonte, vendi nuk është përballur me skena të tilla.
“Së pari, në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Së dyti, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut”, tha Berisha.
Do duhet që konform ligjit, shteti nëse konstaton se ka qytetarë që provojnë pronësinë me dokumente të dëmshpërblehen me çmimin e tregut, tha Berisha.
“Dhe në qoftë se ty pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu. Ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën”, tha lideri i PD.
Çdo të hënë të parë të muajit, që pasi la arrestin shtëpiak, Berishës i duhet të përmbushmë masën e sigurisë detyrim për tu paraqitur në prokurorinë e posaçme. Edhe këtë herë ai nuk la pa përmendur akuzat ndaj ish kreut të SPAK Altin Dumani dhe gjykatëses Irena Gjoka. Aktualisht dosja “Partizani” për të cilën Berisha akuzohet se ka kryer korrupsion me privatizimin e trojeve sportive, ka nisur gjykimin në themel në fazën e thirrjes së dëshmitarëve.





