12 grupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë në FolkKid, festivalin folklorik mbarëkombëtar per fëmijë, në Parkun Kombëtar Turistik të Drilonit.
Grupet kanë sjellë në këtë festival kostumografinë e pasur të gjithë trevave shqipfolëse, ashtu siç sollën dhe vallet burimore nga Peja në Rrajcë, nga Devolli në Manastir e nga Kolonja, Korça dhe Devolli deri në Myzeqe
Për koreografin e grupit folklorik të Pejës Tasim Dajci, kostumografia shqiptare është shumë e pasur ndaj një festival si ky i shërben ruajtjes së traditës.
“Unë shoh një gjë të bukur shumë këtu. Me këto valle të bukura, ti po i jep qytetit një kryevepër. Motive të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, kostume legjendare, per dy tre vite kjo arrin kulmin. Po shoh nivel vallesh. Është e vështirë por këtu shoh valle burimore të stilisuara”, tha Dajci.
Në të njëjtën linjë është koreografi maqedonas Filip Jakovlevski kur thotë se vallet e Ballkanit janë të ngjashme në tipologji ndërsa t’i ruash është e vështirë për shkak të modernizimit.
“Mendoj që jemi të ngjashëm në valle, këngë e traditë. Kufijtë janë politikë, njerëzit shkëmbejnë njëri me tjetrin kulturën. Ne jemi të ngjashëm. Është e vështirë sepse ka modernizëm sot, ka telefona, ka teknologji”, tha Jakovlevski.
Marina Tërpo nga Pusteci ka ardhur në këtë festival në një kostum 200-vjeçar të trashëguar nga familja e saj ndërkohë që Ina Begolli nga Peja ka interpretuar vallen e njohur të Rugovës.
“Po është i vjetër, është i familjes sime i trashëguar brez pas brezi nga stërgjyshërit e mi. Gërshetën e ruajmë në muze e tani e kam me vete. E kemi vallen e vjetër e të lashtë, i përdorim nëpër festivale”, tha Tërpo.
“Kjo është valle e Rugovës. Ne mësojmë shumë vallet, ushtrojmë shumë për to, janë tradicionale, të vështira, i ruajmë traditat shumë”, tha Begolli.
Për më shumë se 3 ore grupet kanë sjellë jo vetëm kostumografinë e krahinave të ndryshme por edhe vallet, përfshi e vallet e kënduara.





