Tre ish-policë dërgohen për gjykim nga Prokuroria e Posaçme pasi dyshohet se i kanë shpërbyer një grupi kriminal, duke u bërë edhe vetë pjesë e tij.
Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj akuzohen nga SPAK se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar transport dhe trafik droge, në një rast në pikën kufitare të Qafë Botës.
SPAK: Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.
Episodi i marsit të 2020 përfshin sasi marramendëse kanabis sativa, 1 tonë ndërsa 4 ton ishin në formë çokollate. Vlera e saj shkonte në 1.7 milionë euro por përfundoi e sekuestruar nga autoritetet helene në duart e dy italianëve, që po ashtu janë dënuar nga Greqia. Por SPAK tregon edhe një tjetër rast të trafikut të drogës.
SPAK: Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.
Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ky është procedim penal i ndarë nga ai kryesori, të hetuar ka pikërisht grupin kriminal që kultivonte hashash. Gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, organi procedues tregon se grupi kriminal ka mbjellë kanabis sativa që u asgjësua nga policia e Gjirokastrës.





