Me nisjen e sezonit veror dhe rritjen e temperaturave, strukturat shtetërore kanë intensifikuar masat për parandalimin dhe përballimin e zjarreve në të gjithë vendin.
Në aktivitetin për “Prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, rritjen e gatishmërisë së strukturave shtetërore dhe koordinimin në terren për çdo emergjencë”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vlerësoi rolin e zjarrfikësve dhe institucioneve të emergjencave, duke theksuar se reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi në terren mbeten vendimtarë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Në fjalën e tij, Hita nënvizoi se ngjarjet e fundit kanë treguar qartë nevojën për koordinim të fortë mes Policisë së Shtetit, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor për të menaxhuar situatat e rrezikut dhe për të minimizuar pasojat.
Skënder Hita: Në çdo rast emergjence, në çdo vatër zjarri, në çdo situatë rreziku për jetën dhe pronën e qytetarëve, ju keni qenë në vijën e parë, me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim.
Kreu i Policisë bëri të ditur se institucionet kanë nisur më herët punën parandaluese në terren, duke bashkëpunuar me administratorët lokalë dhe komunitetet në zonat më të rrezikuara nga zjarret gjatë muajve të verës.
Skënder Hita: Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’u dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve për territorin që kanë marrë në përdorim.
Hita paralajmëroi se Policia do të ndjekë penalisht çdo autor që rrezikon jetën e qytetarëve dhe pasurinë publike apo private.
Skënder Hita: Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia shkaktojnë zjarr, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Duke vlerësuar punën e efektivëve zjarrfikës dhe strukturave të emergjencës, Hita theksoi se përballja me zjarret mbetet një mision i përbashkët në shërbim të qytetarëve.
Skënder Hita: Ky është misioni ynë fisnik, t’u shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar edhe jetët tona.





