Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga provimi i parë i maturës shtetërore 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një konferencë për mediat sqaroi detaje nga organizimi i punës për mbarëvajtjen e provimeve.
“Bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze të filluar që në muajin dhjetor të vitit 2025, kur miratuam rregulloren e maturës shtetërore. Ka qenë një proces i përditshëm për maturantët, ka filluar me publikimin online të modeleve të provimeve disa muaj më përpara, duke u dhënë mundësinë të ushtrohet. Dhe ka kulmuar me testet provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar provimet e maturës, fiks në të njëjtat kushte siç do të zhvillohen në datë 2, 9, 16 dhe 23 qershor, që nga organizimi logjistik, deri te masat e sigurisë, ndarja në klasa, kryerja e provimit sipas kohëzgjatjes etj”, tha ministrja.
Ministrja Kumbaro deklaroi se ka pasur një ashpërsim të kësaj rregulloreje krahasuar me vitin e kaluar.
“Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për Maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, sqaroi ministrja.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ndal gjithashtu edhe tek programi pas shkolle, i cili ka nisur pilotimin në 47 shkolla.
“Kjo fazë erdhi pasi për herë të parë me ndryshimin që bëmë në ligjin për arsimin parauniversitar, kemi përfshirë edhe nocionin ‘Pas Shkolle’, duke siguruar një bazë të mirë ligjore për ta çuar përpara këtë program; Po ashtu, me VKM që përgatitëm, dyfishuam edhe pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë program, duke ofruar një shpërblim më dinjitoz; Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program”, tha Kumbaro.
Gjithashtu ministrja Kumbaro bëri me dije se nga një qershori nis puna për strategjinë e re Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2032, me përfshirjen e e institucioneve, mësuesve, nxënësve, partnerëve zhvillimorë dhe shoqërisë civile.





